Çlirim Gashi
13.04.2019, 8:57

Thaçit i mbesin edhe katër ditë për ta dekretuar ligjin për ndalimin e lojërave të fatit

Në një seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës miratoi projektligjin për mbylljen e lojërave të fatit në tërë Kosovë, në një periudhë kohore për 10 vjet, por ky ligj ende nuk është dekretuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Me apo pa dekretimin e Presidentit Thaçi, ligji do të hyjë në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Haki Shatri, për media ka treguar se çfarë do të ndodh nëse nuk nënshkruhet ligji që ndalon lojërat e fatit.

Ky vendim erdhi pasi që ndodhën dy vrasje në vendin e punës në kazino, një në Suharekë dhe tjetra në Lipjan.

“Qeky që është miratuar para 2 javë ka shkuar te presidenti ai nëse e nënshkruan mirë, nëse nuk nënshkruan ka dy rrugë ose e qon në Kushtetuese e pret mendimin e Kushtetueses ose nuk e nënshkruan rrinë pasiv por ligji hyn në fuqi me automatizëm. Kjo është si çdo ligj tjetër”, ka thënë Shatri.

Ndërsa, Kuvendi i Kosovës ka afat 8 ditë që ta dërgojë këtë ligj tek presidenca.

Dhe nëse ky ligj dërgohet tek presidenca, atëherë Thaçi ka të drejtë të vendosë brenda 8 ditëve për dekretimin e atij ligji ose jo.