Thaçi paradite e kishte mbrojtur taksën, pasdite kishte kërkuar që ajo të hiqet

Paradite e kishte mbrojtur taksën, por pasdite, presidenti Hashim Thaçi i kishte kërkuar kryeministrit që ta heqë atë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se kërkesat për pezullim të taksës, janë bërë jo vetëm nga Merkel e Macron, por edhe nga Rama e Thaçi.

Për KTV-në, Haradinaj ka theksuar rëndësinë e samitit, pasi, sipas tij, ka treguar investim serioz në çështjen e dialogut Kosovë – Serbi, të cilin aktualisht e ka quajtur të devijuar, raporton KTV.

Nga kancelarja Merkel, Haradinaj tha të jetë rikonfirmuar qëndrimi kundër hapjes së temës së kufijve, por nuk mundi ta thotë të njëjtën edhe për presidentin francez, Emanuel Macron.

Derisa, i pyetur për mundësinë e liberalizimit të vizave gjatë këtij viti, Haradinaj tha se duhet pritur fundin e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, për një qartësim të situatës.

Pas samitit, në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e kancelares Merkel, është thënë të ketë pasur një pajtim mes Prishtinës e Beogradit, që të vazhdojnë përpara me tentimet për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.

Gjithashtu, pajtim ka pasur edhe për angazhimin konstruktiv në dialog përmes BE-së, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare.

“Një marrëveshje e tillë është thelbësore në rrugën e Serbisë dhe Kosovës drejt Evropës,” thuhet në komunikatë.

Pas Berlinit, një takim i ngjashëm është paralajmëruar për në korrik, tani në Paris, me ftesën e presidentit Emmanuel Macron.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.