Thaçi kërkon seancë në Kuvend më 4 mars që të raportojë për vizitat në SHBA

03.03.2020

Presidenca i ka dërguar shkresë zyrtare në Kuvendit të Kosovës, ku ka kërkuar që presidentit Thaçi t’i organizohet një seancë më 4 mars, për t’i njoftuar në lidhje me vizitën e realizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe takimin me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq. Në shkresën zyrtare drejtuar Sekretarit të Kuvendit, Sekretari i […]

Thaçi kërkon seancë në Kuvend më 4 mars që të raportojë për vizitat në SHBA Foto: Hashim Thaçi

Presidenca i ka dërguar shkresë zyrtare në Kuvendit të Kosovës, ku ka kërkuar që presidentit Thaçi t’i organizohet një seancë më 4 mars, për t’i njoftuar në lidhje me vizitën e realizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe takimin me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Në shkresën zyrtare drejtuar Sekretarit të Kuvendit, Sekretari i Presidencës ka kërkuar që të bëhen të gjitha përgatitjet për mbajtjen e një seance në lidhje me këtë çështje.

Kreu i shtetit dje përmes një shkrimi në ‘Facebook’ kishte njoftuar për takimet e realizuara në SHBA dhe ishte shprehur i gatshëm të raportoj në Kuvend lidhur me to.

“Sapo përfundova një takim të përbashkët me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë, me ftesë të emisarit special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ku i pranishëm ishte edhe Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien”, kishte shkruar Thaçi.

Kujtojmë se gjatë kësaj vizite, Thaçit i është bërë e qartë në Shtëpinë e Bardhë dhe në institucionet e tjera të larta në Uashington, se duhet të hiqet taksa plotësisht në mënyrë që t’i hapet rrugë marrëveshjes finale dhe përmbylljes së dialogut me Serbinë.

Edhe publikisht, zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë të dërguarin special për dialog, Richard Grenell kanë deklaruar që nuk pranojnë masa gjysmake në lidhje me tarifën.