Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vendosur të enjten të kompletojë KQZ-në, ku do të emërohen anëtarë të rinjë duke i përfshirë nga dy anëtarë për LDK-në dhe VV-në.
Pasi reagoi Ambasada Amerikane në lidhje me bllokimin e KQZ, Thaçi vendosi për kompletimin e kësaj trupe zgjedhore.
Me këtë vendim jashtë KQZ-së mbeten Nisma dhe PSD, ndërsa PDK dhe AAK kanë marrë ftesë për nga një anëtar.
Vetëvendisja e ka konfirmuar për KosovaPress se përkundër të gjitha pretendimeve të deritanishme të presidentit Thaçi, se gjitha grupeve parlamentare iu takon nga 1 anëtarë, ata kanë marrë njoftim zyrtar se iu takojnë dy anëtarë në KQZ.
Kandidati për anëtar të KQZ-së nga Vetëvendosje, Adnan Rrustemi tha se presin që të enjten të funksionalizohet kjo trupë ashtu siç e kërkon Kushtetuta.
“Ne sot kemi marrë ftesat për dy anëtarë, ashtu siç na takonin, siç na garanton Kushtetuta e rezultati i zgjedhjeve. Presim që të enjten të funksionalizohet KQZ në mënyrë kushtetuese”, tha Rrustemi.
Ftesë për dy anëtarë në KQZ ka marrë dhe LDK-ja, gjë të cilën e ka konfirmuar Sami Hamiti, i cili tha se bashkë me Florian Dushin do të përfaqësojnë këtë parti në KQZ.
Për një të deleguar në KQZ-së ka marrë dhe PDK-ja, ku Ilir Gashi nga kjo parti u shpreh se ftesa i ka ardhur individualisht dhe nuk ka informacion se kush tjetër prej koalicionit PAN do të jetë anëtar i ri i KQZ-së.
“Sot mua më ka ardhur ftesa individualisht, nuk e di si iu ka shkuar ftesa ndonjë kujt tjetër, por mua personalisht përmes e-mailit më ka ardhur ftesa për të marrë pjesë në ceremoni të betimit të enjten”, deklaroi Gashi për KosovaPress.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, tha se ka informacione se i është shkuar ftesa për t’u betuar të enjten të deleguarit të kësaj partie për KQZ.
Ndërsa, zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuqi ka konfirmuar për KosovaPress se nuk kanë pranuar ndonjë ftesë nga presidenti për anëtar të KQZ-së.