Testet serologjike, në Serbi 17 euro, në Mal të Zi deri në 22 euro, në Kosovë deri 50 euro

11.08.2020

Të hënën, më 10 gusht, Ministria e Shëndetësisë licencoi 29 laboratorë privatë për të kryer teste serologjike dhe me metodën PCR. Në media sot është raportuar se në disa laboratorë privatë në Kosovë që tashmë kanë nisur të kryejnë këto teste çmimet fillojnë nga 20 deri në 50 euro, varësisht nga numri i testeve për antitrupa. […]

Testet serologjike, në Serbi 17 euro, në Mal të Zi deri në 22 euro, në Kosovë deri 50 euro Foto: Ilustrim

Të hënën, më 10 gusht, Ministria e Shëndetësisë licencoi 29 laboratorë privatë për të kryer teste serologjike dhe me metodën PCR.

Në media sot është raportuar se në disa laboratorë privatë në Kosovë që tashmë kanë nisur të kryejnë këto teste çmimet fillojnë nga 20 deri në 50 euro, varësisht nga numri i testeve për antitrupa.

Çmimet për testimet serologjike në Kosovë dallojnë nga laboratori në laborator.

Në vendet e rajonit, çmimet për testimin serologjik në disa institucionet private shëndetësore janë prej 17 deri 32 euro. Në Shqipëri, testimi serologjik kushton 32 euro. Në Serbi është 17 euro, ndërkaq në Mal të Zi nga 17 deri në 22 euro. Në Maqedoni të Veriut testimi serologjik kushton nga 20 deri në 45 euro.

Ndryshe, Ministri i Shëndëtësisë, Armend Zemaj sot gjatë një takimi me kryetarin e AKK-së, Valon Prestreshi ka kërkuar nga ai që laboratorët e licencuar mos të bëjnë asnjë lloj marrëveshje të ndaluar për caktimin e çmimit në dëm të kosovarëve.

I pari i Shëndetësisë gjithashtu ka thënë se nga sot Inspektorati Shëndetësor do të kryejë inspektime në institucionet të cilave u është lejuar kryerja e testimeve, për të parë nga afër gatishmërinë e tyre për t’i kryer testimet dhe për t’i verifikuar të dhënat e prezantuara nga këto institucione me rastin e aplikimit dhe dhënies së Deklaratës nën betim për kushtet e plotësuara për kryerjen e testimeve sipas Udhëzimit Administrativ.