Tenderi i anuluar që po mbanë peng të gjitha Komunat e Kosovës

Që nga data 28 mars, të gjitha komunat e Kosovës janë duke u  përballur me mungesën e çertifikatave.

E gjithë kjo pasi tenderi i Ministrisë së Punëve të Brendshme me çertifikata nga ana e Organit Shqyrtues të prokurimit është anuluar.

Si pasojë e kësaj, të gjitha komunat janë dëmtuar , sidomos komuna e Prishtinës.

Lidhur me këtë, Indeksonline ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Brendshme, transmeton RTK.

MPB ka deklaruar se Agjencia e Regjistrimit Civil ka njoftuar të gjitha zyrat e Gjendjes Civile që çertifikatat e mbetura që janë origjinale t’iu jepen vetëm qytetarëve që aplikojnë për viza dhe që iu kërkohen në ambasada.

“Agjencia e Regjistrimit Civil u ka dërguar njoftim zyrtar të gjitha zyra të Gjendjes Civile që janë në Kosovë, që certifikatat e mbetura që janë origjinale t’iu jepen vetëm qytetarëve që aplikojnë për viza dhe që ju kërkohen në ambasada, ndërsa për përdorim të brendshëm, vlen vendimi i mëparshëm që të shtypen në letër normale”, u tha nga Zyra për Informim e MPB-së.

Sipas të njëjtëve procedura e tenderit për furnizim me certifikata është në proces e sipër dhe se ende nuk ka përfunduar.

Komuna e Prishtinës ka treguar për Indeksonline alternativën e tyre për këtë rast.

“Dokumentet e gjendjes civile në këtë format janë të vlefshme dhe mund të përdoren vetëm në institucionet brenda territorit të Republikës së Kosovës. Derisa nuk vlejnë për aplikime të ndryshme nëpër ambasada, apo jashtë vendit”,ka thënë Miranda Mullafazliu nga Komuna e Prishtinës.

Tutje u theksua se për këtë arsye, Komuna e Prishtinës e ka një sasi të caktuar të kësaj letre, të cilat i përdorë në rastet e veçantë, në mënyrë që qytetarët të mos mbesin pa shërbim.

“Ndërsa, për rastet e tjera, derisa të sigurohet furnizimi i ri nga MPB-ja, shërbimi mbetet i njëjtë, sikur në gjithë Kosovën, pra dokumentet e gjendjes civile shtypen në letër të bardhë, A4”, u tha tutje nga Mullafazliu .

Të dielën bëhen një muaj që kur MPB ka kërkuar nga të gjitha komunat që në mungesë të formularëve të përdoren metoda alternative. 

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.