Temperaturat e larta, Inspektorati i Punës intensifikon inspektimet në vendet e punës

12.08.2025

Inspektorati Qendror i Punës ka njoftuar se po zhvillon inspektime të rregullta dhe të intensifikuara në të gjitha institucionet publike dhe private, në kuadër të zbatimit të vendimit dhe rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës për periudhën 11 – 15 gusht 2025.

Këto inspektime synojnë të sigurojnë që punëdhënësit të respektojnë masat mbrojtëse ndaj temperaturave ekstreme, duke mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve, sidomos atyre që punojnë në kushte të vështira dhe në ambiente të hapura.

Inspektorati ka paralajmëruar se çdo rast i moszbatimit të masave do të trajtohet me seriozitet dhe, nëse konstatohet shkelje, do të ndërmerren masat ligjore të parashikuara ndaj subjekteve përkatëse.

Po ashtu, punëdhënësit ftohen të bashkëpunojnë me inspektorët dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e punonjësve të tyre.