Të mërkurën seanca statusore e Speciales ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit

Konferenca e parë statusore në rastin kundër katër anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së do të mbahet të mërkurën, 18 nëntor në orën 11:00, para gjyqtarit të procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Gjykatësi i procedurës paraprake ftoi të katër të akuzuarit në rast – Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, si dhe avokatët e tyre mbrojtës për të marrë pjesë në këtë konferencë.

Në Rregullorën e Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, rregulla 96, thuhet se “Gjykatësi i procedurës paraprake thirr një konferencë mbi ecurinë e çështjes sa më shpejt që të jetë e mundshme, pas paraqitjes së parë të të akuzuarit”.

Katër eprorët e UÇK-së janë paraqitur javën e shkuar për herë të parë para Gjykatës Speciale.

Rikujtojmë se më 9 nëntor, Krasniqi dhe Thaçi ishin të parët që u paraqitën para gjykatës me seli në Hagë me ç`rast u deklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Ndërsa, një ditë më pas të martën e 10 nëntorit, edhe Kadri Veseli pati paraqitjen e parë para kësaj gjykate ku u vetëdeklarua i pafajshëm, kurse Rexhep Selimi ishte i fundit që u përball me Specialen më 11 nëntor ku gjithashtu u deklarua i pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.