Çlirim Gashi
12.04.2019, 22:02

Të hënën vendimi për kompensimin e orëve të humbura nga greva

Ministri Bytyqi, tha se të hënën do të mbahet takimi final për çështjen e orëve të humubra gjatë grevës 3 javëshe nga SBASHK-u për arsye të rritjes së koeficientëve të pagave deri në 30%.

Kompensimin e orëve të humbura nga greva e janarit Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës e ka kushtëzuar me rritet koeficienti i mësimdhënësve nga klasa e parë deri në të pestën.

Por, të hënën do të merret vendimi final sa i përket kompensimit të orëve për nxënësit e shkollës fillore dhe të mesme në Kosovë.

Kështu ka deklaruar Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi sot në emisionin “Argument Plus” në RTV 21.

“Vendimi final do të jetë të hënën, do ta kemi këtë takim ku do të jenë të ftuar gjithë drejtorët e DKA-ve, e kemi thirrur këshillin e prindërve, do ta ftojmë dhe SBASHK-un të jetë pjesë e takimit dhe do të jetë ta themi një qasje e re dhe një përfundim i qasjes së kompensimit të orëve dhe kjo do të jetë finale dhe do të iu mbetet DKA-ve që të zbatojnë udhëzimin adminsitrativ.“, ka thënë Bytyqi.