Të hënën në ora 11:00 Jakup Krasniqi paraqitet para gjykatës në Hagë

Më 9 nëntor në orën 11:00 paradite, do të mbahet paraqitja e parë e Jakup Krasniqit  në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.

Aktakuza kundër Jakup Krasniqit u konfirmua më 26 tetor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 4 nëntor  dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.

Aktakuza e ngarkon Jakup Krasniqin me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale. Aktakuza e redaktuar publike mund të lexohet këtu.

Paraqitja e parë e Jakup Krasniqit do të mbahet në seancë publike. Gjatë paraqitjes së parë, gjykatësi i procedurës paraprake siguron që të respektohen të drejtat e të akuzuarit, ndër të cilat e drejta për përfaqësim ligjor dhe që i akuzuari të kuptojë akuzat kundër tij. Paraqitja e parë mund të përcillet përmes transmetimit në Internet me një vonesë të shkurtër.

Gjithashtu, seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit në ndërtesën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Po ashtu, DHSK-ja ka edhe një qendër të posaçme për median në ndërtesën e vet në të cilën gazetarët mund të punojnë dhe të përcjellin seancat me një vonesë të shkurtër.

Për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19, numri i ulëseve në galerinë publike dhe në qendrën për media është shumë i kufizuar dhe nevojitet regjistrim paraprak.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.