Të gjitha masat e reja anti-COVID që pritet të miratohen sot nga Qeveria

18.08.2021

Ditëve të fundit në vendin tonë ka shënuar rritje drastike numri i të infektuarve me COVID-19 në vendin tonë. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë ditës së djeshme është takuar me institucione shëndetësore, e kryetarë komunash për të diskutuar lidhur me ndërmarrjen e masave të reja kundër këtij virusi. Rritja e madhe e këtyre rasteve, […]

Të gjitha masat e reja anti-COVID që pritet të miratohen sot nga Qeveria Foto: SuharekaOnline

Ditëve të fundit në vendin tonë ka shënuar rritje drastike numri i të infektuarve me COVID-19 në vendin tonë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë ditës së djeshme është takuar me institucione shëndetësore, e kryetarë komunash për të diskutuar lidhur me ndërmarrjen e masave të reja kundër këtij virusi.

Rritja e madhe e këtyre rasteve, ka detyruar autoritetet shëndetësore që të rikthejnë disa masa shtrënguese.

Mbyllja e klubeve të natës, reduktimi i orarit të lokaleve të gastronomisë dhe masat e reja për mbarëvajtjen e dasmave, përfshihen në masat e reja të propozuara nga Ministria e Shëndetësisë të martën.

Këto masa u prezantuan nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia përmes një konference për media të mbajtur gjatë mbrëmjes së djeshme.

Gjatë fjalimit të tij, ministri Vitia ka thënë se kjo situatë serioze kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe masa serioze për t’u dhënë prioritet absolut shëndetit të qytetarëve.

Ai ka thënë se për një kohë do të mbyllen klubet e natës si dhe do të ketë edhe reduktim të orarit të gastronomisë.

“Prandaj ekspertët e fushës, ne qysh nesër (sot) do t’i propozojmë qeverisë marrjen e masave: mbylljen për një kohë të klubeve të natës, reduktimin e orarit të gastronomisë, derisa do propozojmë një zgjidhje edhe rreth dasmave, me shumë kufizime të reja për shkak të rezervimeve të mëhershme që i kanë bërë qytetarët tanë”, ka thënë shkurtimisht Vitia.

  • Klubet e natës nga 20 gusht mbyllen komplet,
  • Dasmat (për shkak prenotimeve) do të lejohen edhe një kohë, por me vetëm deri në 150 persona dhe jo më vonë se ora 22:30. Cdo dasmorë do të lejohet në dasëm me certifikatë të vaksinimit ose testet PCR ose seriologjike.
  • Gastronomia do të lejohet të punoj deri në ora 22.30 me masat e mëhershme, me 50% të kapacitetit në hapësirat e brendshme dhe 70% të kapaciteteve në hapësirat e jashtme.

Në anën tjetër do të ketë shtim të stafit shëndetësor por edhe me pjesën e inspektoratëve në komuna dhe nivelin qendror e që kjo pritet të miratohet në takimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës.

“Arsyeja pse masat kufizuese do të ndërmerren e zbatohen në këta sektorë, është se shpërndarja më e madhe e virusit është evidente që po vjen nga grumbullimet e mëdha në hapësira të mbyllura dhe nga mosrespektimi i masave në fuqi”, ka shtuar Vitia.

Kurse drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani bëri thirrje për tu vaksinuar sa më shumë qytetarë në mënyrë që të mos ballafaqohemi me numër të lartë të hospitalizimeve dhe se përgjigjja më e mirë ndaj valës së re të përhapur nga varianti Delta është të vaksinohemi.

Nga 20 gushti gjithashtu nuk do të lejohen klientë në lokale e restorante pa dëshmi vaksinimi apo test PCR.