Ish-ministri i Brendshëm Agim Veliu , nënkryetar i LDK-së përmes një linje telefonike në Pressing, foli për mocionin për rrëzimin e Qeverisë, derisa tha se s’kanë ndonjë ide se çfarë do të ndodhë më pas, as për ndonjë koalicion e as për kandidat për kryeministër.
“Ne s’kemi diskutu as cila do të jetë qeveria pas mocionit e as kush do të jetë kryeministër. Një është e qartë që asnjëri prej nesh s’do koalicion me PDK-në. Por, do t’i shikojmë variantet në përputhje me Kushtetutën”, tha Veliu, përcjellë Indeksonline.
Ai foli edhe për Vjosa Osmanin e cila ka votuar kundër mocionit dhe thirrjes që deputetët nesër mos ta votojnë atë.
“Qëndrimi i Vjosës s’është diçka e re, ajo ka vepru edhe ma herët në këtë mënyrë. E ka dëmtu gjatë gjithë kohës qeverinë e partisë së saj. Por, kjo duket edhe më interesante, se të jesh funksionare e lartë e një subjekti e të punosh për një tjetër subjekt, kësaj s’i thonë tjetër veçse tradhëti të interesave.
Nëse Vjosa bën thirrje që të mos respektohen vendimet e LDK-së dhe punon edhe më të tjerët, nuk e ka asnjë kuptim që ajo të qëndrojnë më në LDK”, ka thënë Veliu.
Për këto kundërshtime brenda partisë ka folur edhe vetë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i cili përmes një statusi ia ka tërhequr vërejtjen se dalja kundër vendimeve të partisë duhet të marrë fund.
“LDK nuk mburret që është unike vetëm kur ndanë pozita, por edhe kur sfidohet, pra kur duhet të solidarizihet me veprimtarët e saj që padrejtësisht atakohen, shpallen tradhtar dhe etiketohen nga ata që shpresuam se do të qeverisim bashk. Prandaj unë ju apeloj që ju që e duani LDK-në të jeni me LDK-në dhe me vendimet e saj. Nuk është e natyrshme që dikush të jetë me LDK-në dhe kundër vendimeve të LDK-së. Kjo sjellje duhet të merr fund”, tha Mustafa përmes një statusi në rrjetin social Facebook.