Koalicioni Të enjten takimi i radhës mes Kurtit dhe Mustafës

Janë bërë 2 muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, por ende nuk ka asnjë marrëveshje mes dy partive LVV-LDK edhe pse janë takuar grupet punuese.

Megjithatë, takimet mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, ende janë duke vazhduar, me qëllim të arritjes së koalicionit mes tyre.

Gazeta Blic, merr vesh që të enjten do të ndodhë takimi i radhës mes Kurtit dhe Mustafës, ku pritet të arrihet një përafrim i qëndrimeve nga ana e dy partive politike.

Në zgjedhjet e fundit, Lëvizja Vetëvendosje, arriti që të dalë partia e parë, duke arritur kështu që t’i merr 26.27 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës 24.54 për qind, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 21.23 për qind, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate ka fituar 11.51 për qind, Lista Serbe ka fituar 6.40 për qind dhe koalicioni i Nismës Socialdemokrate, Aleancës Kosova e Re dhe Partisë së Drejtësisë ka fituar 5 për qind.

Në bazë të këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka 29 vende në parlamentin 120 vendesh, Lidhja Demokratike e Kosovës ka 28 vende, Partia Demokratike 24 vende, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate ka 13 vende dhe koalicioni NISMA-AKR-PD ka 6 vende. Lista Serbe ka fituar 10 vende aq sa i takojnë komunitetit serb./GazetaBlic/

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.