Tash i kërcënojnë, në opozitë VV i konsideronte grevat si rezultate të keqeverisjes

25.08.2022

Sektori publik në Kosovë nga sot ka nisur grevën e përgjithshme, pasi që sindikalistët nuk kanë arritur të bien dakord me Qeverinë e Kosovës rreth kërkesës së tyre për mbështetje prej 100 eurove. E pas fillimit të grevës, Ministria e Financave ka kërkuar nga Këshilli Grevist listën e personave që po marrin pjesë në grevë […]

Tash i kërcënojnë, në opozitë VV i konsideronte grevat si rezultate të keqeverisjes Foto: Ilustrim

Sektori publik në Kosovë nga sot ka nisur grevën e përgjithshme, pasi që sindikalistët nuk kanë arritur të bien dakord me Qeverinë e Kosovës rreth kërkesës së tyre për mbështetje prej 100 eurove.

E pas fillimit të grevës, Ministria e Financave ka kërkuar nga Këshilli Grevist listën e personave që po marrin pjesë në grevë për t’ua ndalur pagën sipas neni 18 të Ligjit për Greva.

Ky veprim i Ministrisë së Financave ka bërë që të ngjallë reagime të shumta nga ana e qytetarëve, disa në përkrahje e disa jo, ndërkaq disa juristë janë shprehur kundër këtij veprimi nga ana e ministrisë në fjalë.

Por, kthehemi pak në kohë, kur partia tashmë në pushtet, në vitin 2019 ishte në opozitë, e që kishte përkrahur këto greva, ndërsa tashmë çuditërisht po ndryshojnë qasje.

Gjatë vitit 2019 sa ishte në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje përkrahte grevat e sindikatave dhe të mësimdhënësve.

Se ishte në përkrahje të grevave të mësimdhënësve, në atë kohë kishte qenë edhe Arbërie Nagavci, që tash është ministre e Arsimit në Qeverinë Kurti II.

Ministrja Nagavci, në vitin 2019 kishte drejtuar gishtin kah qeveria e atëhershme, duke theksuar se greva që s’e deshën as vetë arsimtarët kishte ardhur si rezultat i keqqeverisjes.

Megjithatë pas ardhjes në pushtet kanë ndërruar gjërat. Tashmë Qeveria Kurti i kërcënon sindikalistët dhe arsimtarët se do t’iu ndalen pagat nëse dalin në grevë.

Këtë e kanë konfirmuar edhe nga Ministria e Financave, institucion ky nga i cili ka dalë emaili ku kërkohej evidentimi i atyre që do të dalin në grevë me qëllim të ndaljes së pagave.