Bashkryesuesi i delegacionit shtetëror për dialogun, Fatmir Limaj ka thënë pas takimit me zyrtarin e Qeverisë britanike, Richard Moore se tani të gjitha shtetet po kërkojnë heqjen e taksës nga Qeveria e Kosovës.

Limaj ka thënë se të gjithë zyrtarët e shteteve të fuqishme të botës që po vijnë në Kosovës po kërkojnë heqjen e taksës dhe fillimin e dialogut.

Ai ka thënë se në takimin me Moore, ka premtuar mbështejten e Britanisë në dialogun me Serbinë dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti serb.

“Të gjithë që vijnë kërkojnë në mënyrë diplomatike të largohen pengesat dhe të vazhdohet dialogu, në këtë mënyrë të pezullohet taksa. Ne mundohemi që t’iu shpjegojmë që kushtëzimet nuk janë të mira në dialog. Qëndrimi i të gjithë miqve është që të gjendet rrugë për t’i dhënë mundësi dialogut dhe këtë vazhdimisht na e kanë thënë në Prishtinë e Bruksel”, ka deklaruar Lima.

Kujtojmë se kohën e fundit janë rritur vizitat nga zyrtarë të huaj në Kosovë, ku po kërkojnë nga kryeministri Ramush Haradinaj heqjen e taksës pasi po pengon dialogun me Serbinë.