“Taksa ndaj Serbisë do të hiqet dhe dialogu do rifillojë në qershor”

Më 29 prill të këtij viti, vendet e Ballkanit Perëndimor do të marrin pjesë në Samitin e Berlinit, i cili do të udhëhiqet nga Kancelarja Gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Teksa, ende nuk dihen temat të cilat pritet të fliten në këtë takim, dhe vendimet që mund të nxirren nga ai, njohësi i çështjeve politike, Naim Rashiti, nga përvoja e tij, ka treguar për Gazetën Blic, se çka mund të prodhojë ky takim.

Gjersa përfaqësues nga Kosova në këtë takim, do të jetë presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj, Rashiti ka thënë se shumçka mund të ndodhë në të, raporton GazetaBlic.

Thotë se nëse Kancelarja Gjermane, Angela Merkel, vendos që t’i takojë veç e veç secilin prej liderëve të shteteve te Ballkanit Perëndimor, atëherë tarifa ndaj mallrave serbe mund të hiqet dhe në këtë mënyrë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, të rifillojë në qershor të këtij viti.

Rashiti, thotë se ende nuk dihet se a do të ketë takime “kokë më kokë”, teksa ka thënë takimi në Berlin mbahet në prag të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili pritet të mbahet në Poloni – por që ende nuk është formësuar e as caktuar data e mbajtjes së tij.

“Samiti i Berlinit do të jetë tryezë e dy liderëve kryesor te vendet e Ballkanit Perëndimor. Nuk dihet ende a ka takime kokë më kokë. Nuk ka agjendë publike por me sa po kuptojmë ka këto qëllime. Riafrimin e përafrimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në. Mos të harrojmë që ky takim mbahet në prag të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili kësaj here mbahet në Poloni dhe i cili ende nuk është formësuar”, ka thënë Rashiti.

Rashiti shton se takimi i 29 prillit, përfshinë edhe presidentin frances Emmanuel Macron, i cili “mbetet ende kundër hapjes së negociatave me Maqedoninë e sidomos me Shqipërinë dhe kundër liberalizimit të vizave me Kosovën”.

Përtej kësaj, Rashiti thotë se Franca, përkundër që është kundër negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë, është fort e interesuar për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Ky takim përfshinë edhe presidentin francez Macron, i cili mbetet ende kundër hapjes së negociatave me Maqedoninë e sidomos me Shqipërinë dhe kundër liberalizimit të vizave me Kosovën. Por, Franca është më e hapur për opsione, për dialog mes Kosovës dhe Serbisë”.

Politologu Rashiti, ka dhënë katër (4) qëllime, që sipas tij kanë të bëjnë direkt me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ky takim ka për qëllim të jap shtytje për:
1. Miratimit te negociatave për Republikën Veriore të Maqedonisë
2. Shtyjes përpara për fillimin e negociatave për Shqipërinë poashtu….edhe pse gjithnjë e më e vështirë. Por ende duhet shtyrë ashtu që mos të ketë ndarje dhe prishje te paketës.
3. Shtyrja përpara e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën
4. Tentime për të rinisur dialogun Kosovë- Serbi

Rashiti thotë se takimi i 29 prillit, mund të prodhojë lajme të mira dhe po ashtu edhe të këqija.

Thotë se çështja e dialogut Kosovë-Serbi, nuk pritet që të jetë tema kryesore, për shkak se sipas tij, Gjermania dhe Franca, nuk marrin hapa për një çështje kaq madhore, pa qenë prezent Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimi Europian (BE).

“Gjermania po bën përpjekje që duke pasur presidentin francez në takim të shtyhej se paku tri pikat e para sepse Franca ende po kundërshton. Ky takim do të jetë kyq për këto tri çështje, mund të jetë takim i lajmeve të mira dhe takim i lajmeve shumë të këqija. Çështja e dialogut Kosovë Serbi është më e komplikuar sepse as këto dy vende nuk do të mund të përparojnë dialogun shumë pa BE-në (EEAS) dhe SHBA-në”, ka thënë ai.

Por, thotë se nëse Kancelarja Gjermane, Angela Merkel, takon “kokë më kokë” liderët e institucioneve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, atëherë përfundimisht mund të hiqet tarifa ndaj mallrave serbe dhe boshnjake dhe sipas tij, nëse ndodhë kjo, atëherë në qershor do të rifillojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

“Megjithate nëse kancelarja Merkel mban takime kokë më kokë me liderët e Kosovës dhe Serbisë do të kërkohet heqja e takses nga ana e Kosoves dhe ndalja e fushatës se Serbisë ndaj Kosovës. Nëse arrihet përparim në këtë, do të shohim rifillim të dialout në qershor. Nëse Kancelarja Merkel insiston, taksa do te hiqet dhe fushata e Serbise do te minohet”, ka thënë Rashiti.

Ky takim do të jetë i pari i nivelit të lartë, qëkur u pezulluan bisedimet në vjeshtën e vitit të kaluar, kur qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë në shenjë kundërshtimi ndaj siç është thënë, fushatës agresive të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.

Samiti i Berlinit po vlerësohet si tregues i qartë i përfshirjes aktive të Gjermanisë dhe Francës në përpjekjen për zhbllokimin e bisedimeve Kosovë – Serbi, që do të mund të çonte në marrëveshje përfundimtare.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.