Mandatari për kryeministër Takimi Thaçi-Kurti dhe afatet kushtetuese për formimin e qeverisë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi të premtën e kishte ftuar Albin Kurtin që t’ia caktojë mandatarin për kryeministër, por Kurti e kishte refuzuar për shkak se nuk u ndodh në Prishtinë, po ashtu edhe dje Thaçi e kishte ftuar përsëri Kurtin, por ai e refuzoi për të tretën herë, kështu duke i’a caktuar datën vetë më 6 janar dhe në çfarë do kohe që presidentit i përshtatet.

Në lidhje me afatet kohore për mandatarin për kryeministër, njohësi i rrethanave politike dhe kushtetuese, Mazllum Baraliu i tha KosovaPress-it se neni 95 i Kushtetutës e parasheh që qysh prej momentit kur Albin Kurti mandatohet nga presidenti për kryeministër, rrjedh afati i parë 15 ditësh për formimin e qeverisë.

Po ashtu Baraliu ka bërë të ditur se nëse nuk ka vota për këtë, atëherë pason afati tjetër kohor prej 10 ditësh, e nëse as pas kësaj nuk mund të arrihet, atëherë presidenti i Kosovës shpall zgjedhjet e reja brenda 40 ditësh.

Por neni tjetër, ai 85, për Baraliun parasheh që mandatari për kryeministër, prej ditës kur mandatohet ka afat rreth 60 ditë për të formuar qeverinë dhe pas saj, sërish shpallje për zgjedhje të reja.

Krahas këtyre neneve që nuk i lejohet partisë së dytë të ofrojë mandatar, është një vendim i vitit 2014 i Gjykatës Kushtetuese, ku i lejohet partisë së dytë dhe tretë të ofrojnë kandidatin e tyre për kryeministër pas dështimit të partisë së parë.

Kujtojmë se në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbajtura më 6 tetor, pas certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ-së, fituese e këtyre zgjedhjeve doli Lëvizja Vetëvendosje duke lënë pas Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.