Takimi në Berlin për caktimin e ‘vijave të kuqe’ të marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë?

Pas ngecjes për shumë muaj në dialogun ndërmjet Serbisë e Kosovës, në Berlin të hënën më 29 prill do të mbahet tubimi ku për herë të parë përfaqësuesit e palëve në proces do të takohen në kontekst të normalizimit të marrëdhënieve, por në prani të një audience më të gjerë.

Konferenca e cila fillon vonë pasdite, do të jetë e ndarë në dy pjesë: sesionin formal dhe darkën joformale, ndërsa në të dyja herët do të diskutohet për implikimet e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë në rrethanat në regjion, shkruan Evropa e Lirë.

Artikulli vëren se organizatorët këtë herë i anashkaluan politikanët evropianë, të cilët në institucionet e Brukselit merren drejtpërdrejt me dialogun e regjionin.

Komesari përgjegjës për çështje të zgjerimit Johanes Hahn nuk është ftuar në Berlin, ndërsa pjesëmarrja e ndërmjteësueses në dialog është konfirmuar vetëm pasi që i ftuari i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, në pamundësi për të marrë pjesë në tubim, ka vendosur ta dërgojë Federica Migherinin si zëvendësim.

Diplomatët e BE-së, shkruan më tej REL, nuk e përjashtojnë mundësinë që në këtë takim të caktohen të ashtuquajturat ‘vija të kuqe’ të marrëveshjes ndërmjet Kosovës e Serbisë për normalizimin e gjithanshëm të marrëdhënieve.

Në lidhje me këtë, nuk përjashtohet mundësia që me rastin e diskutimit sërish të inicohet edhe çështja e përkufizimit të mundshëm, për çka me të madhe është folur verën e kaluar, ndërsa për këtë opsion publikisht janë angazhuar edhe dy bartësit lokalë të procesit të negociatave, kryetarët e Serbisë e Kosovës, Aleksandar Vucic e Hashim Thaçi.

Ndërmjetësuesja në dialog Federica Mogherini kurrë nuk është deklaruar haptas për përkufizimin, gjë që për shumë njohës të rrethanave ka qenë rast indikator se ajo tërthorazi e ka mbështetur këtë ide, ndonëse kundër saj janë deklaruar vende relevante anëtare të BE-së, duke përfshirë Gjermaninë, shkruan REL, duke përkujtuar qëndrimin e qeverisë gjermane se kjo “paraqet rrezik për stabilitetin në regjon”.

Takimi i Berlinit sigurisht se nuk është historik, por sigurisht se do t’i përcaktojë orientimet e mëtejme në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë e Kosovës, ndërsa pritet të jetë inicues për ndryshimin e plotë të qasjes ndaj dialogut në të ardhmen, përfundon REL.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.