Zhbllokimi i dialogut mes Kosovës e Serbisë, heqja ose pezullimi i taksës një qind për qind ndaj produkteve serbe e boshnjake, si dhe çështja e liberalizimit të vizave për kosovarët pritet të jenë disa nga temat të cilat do të diskutohen në takimin e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj me kancelaren gjermane Angela Merkel, i cili do të mbahet më 6 qershor të këtij viti, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Zyrtarë nga zyra e kryeministrit Ramush Haradinaj për “Zërin” kanë thënë se kryeministri në këtë takim do ta kërkojë mbështetjen e Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave, si dhe për dialogun mes Kosovës e Serbisë.
“Kryeministri Haradinaj në fillim të qershorit do të udhëtojë për në Berlin në një vizitë dyditore. Me ftesë të kreut të Bundestagut gjerman do të marrë pjesë në ‘Lutjet e mëngjesit’, që organizohen atje. Pastaj do të ketë takime me deputetë të Bundestagut, si dhe më 6 qershor do të zhvillojë një takim pune me kancelaren Merkel. Tashmë dihet se kërkesat e kryeministrit Haradinaj janë mbështetja e Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave, për dialogun dhe për fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale”, thuhet në përgjigjen e tyre dhënë “Zërit” .
Haradinaj në Berlin do të jetë për një vizitë dy ditore, fillimisht ai do të takohet me deputetë të Bundestagut, e pastaj do të ketë me 6 qershor një takim pune me Kancelaren Merkel.
Ky takim pritet që temë kryesore të ketë 3 çështje: 1) liberalizimin e vizave për kosovarët, 2) dialogu me Serbinë dhe 3) fuqizimi i marrëdhënieve bilaterale me Gjermaninë.