Sot do të takohen përsëri grupet punuese të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike Kosovës (LDK) për harmonizimin e programit.
Ndërsa tema kryesore i këtij takimi do të jetë sundimi i ligjit.
LVV dhe LDK në çdo takim dhe deklaratë po zotohen për reformë rrënjësore të sistemit të drejtësisë dhe Vettingun në gjyqësi, prokurori, polici si dhe AKI.
Në tryezën me temën “Prioritetet legjislative në fushën e sundimit të ligjit: Një perspektivë nga legjislatura e re e Kuvendit”, të organizuar nga GLPS, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje tha se edhe sot në takimin me LDK-në do të flasin për sundimin e ligjit.
Po ashtu sipas Haxhiut njëra prej synimeve kryesore të qeverisjes së tyre do të jetë kthimi i besimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës në institucionet e drejtësisë.
“Ne kemi obligim që të punojmë pa ndalë për krijimin e institucioneve të pavarura të drejtësisë. Duhet të ketë verifikim dhe kontroll të prokurorëve, niveleve e larta të policisë dhe AKI-së”.
“Në të kaluarën kemi patur një tendencë të shtypjes së parlamentit. Unë besoj që ka alternativa të shumta se si mund të adresohet çështja e Vettingut. Pa procesin e Vettinugt nuk mund ta kthejmë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë”, tha ajo.
Ndërsa Armend Zemaj nga LDK tha se ndryshimet efikase do të ndodhin, për çka tha se kërkohet edhe hartim të legjislacionit të duhur dhe korrekt.