Takimi i Osmanit pa rezultat konkret, Kurti hesht, opozita kërkon zgjidhje për Kuvendin

para 31 dite

Pas një takimi konsultativ me liderët e partive politike, Presidentja Vjosa Osmani dhe krerët e opozitës, Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj, kanë dhënë deklarata për media.

Takimi i Osmanit pa rezultat konkret, Kurti hesht, opozita kërkon zgjidhje për Kuvendin

Albin Kurti, kryetari i LVV-së, nuk ka folur pas takimit, duke lënë të kuptohet se zgjidhja e ngërçit politik mbetet e largët.

Takimi, i thirrur nga Osmani për të gjetur një rrugëdalje nga bllokada në konstituimin e Kuvendit, nuk ka sjellë rezultate konkrete.

Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, ka theksuar se takimi ishte i propozuar nga partia e tij javën e kaluar, duke besuar se Presidentja, si institucioni i vetëm me mandat legjitim, duhet të angazhohet. Ai ka kërkuar nga Albin Kurti të ndryshojë kandidaten për kryekuvendare, Albulena Haxhiun, dhe të propozojë një emër që merr shumicën parlamentare. “Nuk pres që të ndodhë një gjë e tillë, e fatkeqësisht jemi në një situatë të njëjtë, por duhet parë këtë takim si një hap para për të gjetur një rrugëzgjidhje,” ka deklaruar Krasniqi.

Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, ka propozuar sërish idenë e një qeverie tranzicionale, e cila, sipas tij, ka gjetur mbështetjen e liderëve të tjerë, përveç Albin Kurtit. “Gjendja e tanishme me 16 herë përsëritje, një muaj vonesë dhe më së paku iniciativë nga partia e parë me 48 deputetë nënkupton se s’ka as brengë e siç e pash në takim as urgjencë që kjo të zgjidhet sa më parë,” ka thënë Abdixhiku.

Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, ka thënë se kanë diskutuar për të gjetur një kandidat unifikues për kryeparlamentar. “E kemi dhënë idenë tonë që me ecë përpara pra që do ta votonim një kandidat për kryetar kuvendi një person unifikues,” ka deklaruar Haradinaj.

Albin Kurti, i cili nuk ka dhënë asnjë deklaratë për media, ka lënë të kuptohet se nuk ka ndërmend të bëjë kompromis.

Presidentja Osmani ka deklaruar se ekziston një “disponim minimal” mes partive për të konstituuar Kuvendin dhe se shpreson që ky disponim të rritet. Ajo ka përmendur gjithashtu mundësinë e dërgimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese, por ka thënë se do të presë për një marrëveshje politike para se të ndërmarrë një hap të tillë.

Seanca e 17-të e Kuvendit, e caktuar për të shtunën, pritet të jetë një tjetër përpjekje e dështuar për të thyer bllokadën politike.

Etiketat

Ofertat e fundit