Takimi i lamtumirës me ambasadorin Rohde, Kurti: Gjermania është partner kyç i Kosovës

23.09.2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në një takim lamtumirës ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Në fillim të takimit, kryeministri shprehu mirënjohjen e tij për pesë vitet e shërbimit diplomatik të ambasadorit në Kosovë, duke theksuar se Rohde është ambasadori që ka shërbyer më së gjati në këtë detyrë në vend.

Kurti theksoi se Gjermania mbetet një partner qendror i Kosovës, si në bashkëpunimin ekonomik ashtu edhe në rrugën drejt integrimit evropian. Ai veçoi fushat ku bashkëpunimi ka qenë i ngushtë gjatë mandatit të ambasadorit, si energjia, arsimi dhe mbrojtja e mjedisit.

Në bisedë u përmendën gjithashtu çështje që lidhen me sigurinë dhe bashkëpunimin me KFOR-in, si dhe procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, një arritje e realizuar gjatë periudhës së shërbimit të ambasadorit Rohde dhe qeverisjes së kryeministrit Kurti.

Në fund, kryeministri i uroi ambasadorit gjerman shëndet dhe suksese në jetën e tij të mëtejshme.