Sveçla takon zëvendëskryeministrin kroat: Diskutime për situatën e sigurisë dhe forcimin e bashkëpunimit
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka zhvilluar sot një takim me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm të Republikës së Kroacisë, z. Davor Božinović.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Sveçla përmes një postimi në Facebook.
Në këtë takim u diskutua gjerësisht për situatën e sigurisë për të dyja vendet, me një theks të veçantë mbi rrethanat e reja të krijuara dhe përkushtimin e ndërsjellë për forcimin e bashkëpunimit në këtë fushë.
Sveçla theksoi se Republika e Kosovës dhe Republika e Kroacisë gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera bashkëpunimi, veçanërisht në fushën e sigurisë, të cilat janë të bazuara në qëllime të përbashkëta për paqe, stabilitet dhe siguri të qëndrueshme në rajon.
Gjatë ditës, ministri Sveçla do të vazhdojë diskutimet mbi çështje kyçe të sigurisë me rëndësi për rajonin dhe më gjerë, në kuadër të Ministerialit të Forumit të Salzburgut që po mbahet në Kroaci, nën udhëheqjen e Ministrit Božinović. Ky takim rikonfirmon angazhimin e dy vendeve për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe euroatlantik në fushën e sigurisë.