Sveçla dhe Haxhiu kërkojnë angazhim në zbardhjen e krimeve të luftës

14.06.2024

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, takuan zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, së bashku me stafin e lartë menaxhues.

Sveçla dhe Haxhiu kërkojnë angazhim në zbardhjen e krimeve të luftës Foto: Ilustrim

Bëhet e ditur se fokusi i vizitës së ministrave,përveç tjerash, ishte te Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, për të parë nga afër punën, angazhimin e kësaj drejtorie në hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar të cilët kanë kryer krime e gjenocid në Kosovë.

“Duke folur për drejtësi për viktimat dhe shoqërinë lidhur me krimet e luftës përfshirë dhunën seksuale, të përdorur si armë lufte në Kosovë, u vlerësua se duhet shtuar edhe më tej angazhimi i përbashkët i hetimit, arrestimit dhe procedimit penal të të gjitha rasteve të krimeve të luftës tek organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të MPJ-së.

Gjithashtu, bëhet e ditur se në këtë takimi me stafin e lartëmenaxhues, pjesë e të cilit ishin edhe stafi i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, u ritheksua zotimi për të mos reshtur së hetuari e kërkuari drejtësi për krimet e luftës, si dhe u ofrua mbështetje e plotë ndaj Policisë së Kosovës, e në veçanti ndaj kësaj drejtorie.