Sulmohet fizikisht doktoresha në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Lipjan, arrestohet e dyshuara

26.04.2025

Një incident i dhunshëm ka ndodhur në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) në Lipjan, ku një doktoreshë është sulmuar fizikisht nga një grua.

Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës, e cila ka arrestuar menjëherë të dyshuarën dhe e ka dërguar atë në mbajtje.

Sipas raportit 24-orësh të policisë, incidenti ka ndodhur më 24 prill 2025, rreth orës 10:45. Një ditë më vonë, më 25 prill 2025, autoritetet kanë arrestuar të dyshuarën femër kosovare. Policia e ka cilësuar veprën si “sulm ndaj personit zyrtar”, duke theksuar seriozitetin e ngjarjes.

“Lipjan 24.04.2025 – 10:45. Më 25.04.2025 është arrestuar e dyshuara femër kosovare, pasi që e njëjta ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare doktoreshë në QMF Lipjan. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit e dyshuara është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Detajet e sulmit dhe motivet e mundshme të agresorit ende nuk janë bërë të ditura nga autoritetet. Megjithatë, arrestimi i shpejtë i të dyshuarës tregon angazhimin e policisë për të trajtuar me seriozitet rastet e sulmeve ndaj personelit mjekësor dhe zyrtarëve publikë.

Ky incident ngre shqetësime në lidhje me sigurinë e punonjësve shëndetësorë në vendin tonë dhe nevojën për masa shtesë për të parandaluar akte të tilla dhune në të ardhmen.