Sulmi terrorist në veri të Kosovës: Lidhje të forta me Serbinë dhe Rusinë
Pas sulmit terrorist që ndodhi në veri të Kosovës, ku u shënjëstrua një infrastrukturë vitale, hetimet paraprake kanë zbuluar lidhje të forta me Serbinë dhe Rusinë.
Në mesin e armëve dhe eksplozivëve të sekuestruar nga policia, janë gjetur edhe shenja ushtarake që i përkasin kryesisht Forcave të Armatosura Serbe dhe Forcave Ajrore Ruse (VDV). Kjo gjetje ngre shqetësime serioze për përfshirjen e aktorëve të huaj në këto veprime terroriste.
Lidhjet e personave të arrestuar me organizatën terroriste “Mbrojtja Civile”, e cila është financuar nga Beogradi, forcojnë më tej dyshimet për një përfshirje të drejtpërdrejtë të shërbimeve sekrete serbe në këto sulme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim në platformën X, ka theksuar se këto ngjarje nuk janë të izoluara, por janë rezultat i një strategjie më të gjerë të Serbisë për të destabilizuar Kosovën. Ai ka kujtuar inkursionin ushtarak të Serbisë vitin e kaluar dhe sponsorizimin e vazhdueshëm të krimit në veri të vendit.
“Natyrisht, ngjarjet terroriste nuk ndodhin në vakum. Në këtë kontekst, inkursioni paraushtarak i Serbisë vitin e kaluar dhe sponsorizimi i vazhdueshëm i krimit përmes metodave të ndryshme në veri të Kosovës lë pak hapësirë për spekulime. Megjithatë, hetimi është në vazhdim, dhe detaje të mëtejshme – së bashku me numrin e palëve të huaja të përfshira – do të zbulohen”, ka shkruar Kurti.