Çlirim Gashi
11.06.2019, 21:46

Suharekë: Thirrje për kujdes të shtuar nga Ethet Hemorragjike

Nën udhëheqjen e Ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, është mbajtur takimi i radhës i Këshillit ndërministror për luftimin dhe parandalimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo (EHCC).

Ministri Ismaili tha se takimi i Këshillit po mbahet me qëllim të përcjelljes sa më të mirë të zbatimit të masave për kontrollin e etheve homorragjike për të ndikuar në uljen e sëmundshmërisë nga kjo sëmundje që shkaktohet si pasojë e pickimit dhe infektimit nga rriqrat.

Është bërë thirrje që në komunat si: Suharekë, Malishevë, Rahovec dhe Klinë që të kenë kujdes të shtuar nga Ethet Hemorragjike pasi që këto komuna njihen si zona endemike.
 
Ministri Ismaili kërkoi nga të gjitha institucionet që janë përgjegjëse për zbatimin e Planit operativ për parandalimin dhe luftimin e EHCC që ta rrisin angazhimin gjatë kësaj periudhe kur frekuenca e rasteve mund të jetë më e shprehur.
 
Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, tha se në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera po zbatohen aktivitetet e Planit operacional me qëllim të parandalimit dhe luftimit të EHCC, kurse zyrtarë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural si dhe nga Agjensioni i Ushqimit dhe Veterinës njoftuan se në terren po bëhet dezinesktimi i hapësirave bashkë me komunat që njihen si zona endemike (Malishëve, Suharekë, Rahovec e Klinë), si dhe repelimi i kafshëve si masë parandaluese.

Këshilli, gjithashtu, u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë kësaj sezone duke zbatuar masat e përgjithshme për mbrojtjes nga Ethet Hemorragjike, ndërsa në raste të pickimit nga rriqnat të lajmërohen te mjeku më i afërt në kujdesin primar shëndetësor.