Suharekë, aktakuzë ndaj tre zyrtarëve, keqpërdorën detyrën zyrtare

24.11.2023

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve B.K., E.Sh., B.S., person përgjegjës i personit juridik si dhe personit juridik- operatorit ekonomik, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”. Sipas aktakuzës, të pandehurit B.K., dhe E.Sh., prej datës […]

Suharekë, aktakuzë ndaj tre zyrtarëve, keqpërdorën detyrën zyrtare Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve B.K., E.Sh., B.S., person përgjegjës i personit juridik si dhe personit juridik- operatorit ekonomik, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit B.K., dhe E.Sh., prej datës 18.05.2022 deri në muajin prill 2023, në Suharekë, në bashkëkryerje, duke vepruar në cilësi të personave zyrtarë, dhe atë B.K., në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe E.Sh., në cilësinë e mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë të menaxherit të kontratës, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tyre zyrtar, nuk i përmbushin detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete dhe për persona tjerë, të njëjtit me dashje shkelin Ligjin për Prokurimin Publik dhe Rregulloren për Prokurim Publik.

“Në atë mënyrë që me vendimin e datës 18.05.2022 të lëshuar nga kryetari i Komunës së Suharekës caktohen në menaxhimin e kontratës “ndërtimi i rrugëve: “Rexhepi Velia – me segment”, “Molika”, “Shaljanët – segment”, “Kovaçi”, “Tafa”, “Jetush Shala” dhe “Haxhi Shania”.. në fshatin Mushtisht”, ku nga provat e siguruara rezulton që të hollat në vlerë prej 72,214.74 Euro, janë paguar për operatorin ekonomik, mirëpo rrugët nuk janë shtruar siç parashihej në kontratë, përderisa në vitin 2022 përpilojnë dokumentacione fiktive dhe të rrejshme, ku i pandehuri B.K., në bashkëkryerje me të pandehurin E.Sh., më datë 12.12.2022 përpilojnë dhe nënshkruajnë raportin e pranimit teknik duke konstatuar se kinse janë realizuar punimet sipas kontratës përderisa gjendja në teren ka qenë e pa realizuar deri në kohën kur prokuroria së bashku me hetuesit kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore në këtë çështje penale, me ç’ rast të njëjtit të gjendur para një situate të tillë, në muajin prill të vitit 2023, në bashkëpunim me personin juridik – Operatorin Ekonomik me qëllim që t’i shmangen përgjegjësisë penale dalin në teren dhe shtrojnë rrugët e ridestinuara, të cilat rrugë nga ekspertiza e fushës së ndërtimtarisë rezultojnë me dëme material, ku trashësia mesatare e asfaltit në segmentin “Manastiri”, “Hasan Basha” dhe “Guri i gjatë” rezulton të jetë 6.5 cm, ndërsa me kontratë është 8.0 cm, pra trashësia mesatare është më e vogël për 1.5 cm, trashësia mesatare e asfaltit në rrugën “Bajram Kurti” është 7.53cm, ndërsa me kontratë është 8.0 cm, pra trashësia mesatare është më e vogël për 0.47 cm, trashësia mesatare e mbushjes me tampon në rrugën “Sadri Shasha” është 5.7 cm, ndërsa me kontratë është paraparë të jetë 10 cm, pra trashësia mesatare është më e vogël për 4.3 cm, me këto veprime i mundësojnë nga njëra anë operatorit ekonomik përfitim pasuror të kundërligjshëm dhe nga ana tjetër i shkaktojnë dëm material Komunës së Suharekës në vlerë prej 8,651.97 euro, pa llogaritur shkallën e dëmit në stabilitetin dhe jetëgjatësinë e rrugëve të punuara. Me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në një komunikatë të Prokurorisë Themelore në Prizren.

Ndërsa, i pandehuri B.S., si personi përgjegjës i personit juridik dhe personi juridik i operatori ekonomik, prej datës 17.05.2022 deri në muajin prill të vitit 2023, në Suharekë, duke vepruar në cilësi të pronarit dhe përfaqësuesit të autorizuar të personit juridik-operatorit ekonomik, me dashje shkel procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe nuk zbaton detyrimet që dalin nga kontrata e prokurimit publik, me qëllim të përfitimit për vete duke i shkaktuar dëm buxhetor Komunës së Suharekës, në atë mënyrë që i njëjti më datë 17.05.2022 nënshkruan kontratën e lartëcekur, në bashkëveprim me persona zyrtarë të Komunës së Suharekës, përkatësisht me menaxherin e kontratës B.K., në vitin 2022 përpilojnë procesverbale, situacione fiktive, si dhe raporte fiktive për kryerjen e punëve, përmes kompanisë së tij, përderisa gjendja në teren ka qenë e pa realizuar.

Sipas komunikatës, me këto veprime kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Prokurori i Shtetit konform dispozitave ligjore ka kërkuar nga gjykata që të pandehurve B.K. dhe E.Sh., përveç dënimit kryesor t’i shqiptohet dënimi plotësues – Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.

Si dhe B.S., dhe personi juridik- operatorit ekonomik, përveç dënimit kryesor t’i shqiptohet dënimi plotësues – Ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës.