Suharekasi pranon fajësinë për armëmbajtje pa leje, dënohet me 200 euro gjobë

Ilustrim

Të martën në Gjykatën Themelore në Prizren, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj F.V. , i akuzuar për armëmbajtje pa leje.

I pandehuri paraprakisht së bashku me avokatin e tij Arben Ramadani, kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë seancë i pandehuri, përsëri e pranoi fajësinë, duke deklaruar se armët nuk kanë qenë të tij, por ato i ka gjetur në oborrin e tij kur është kthyer në Kosovë pas luftës dhe të njëjtat i ka fshehur në një vend për të mos i rrezikuar anëtarët e tjerë të familjes.

Kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, pranoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë dhe të akuzuarin e dënoi me 200 euro gjobë, të cilat duhet t’i paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqieshmërisë së aktgjykimit.

Po ashtu, i pandehuri duhet që të paguajë edhe paushallin gjyqësorë në vlerë prej 50 euro dhe 50 euro të tjera për kompensimin e viktimave të krimit, shkruan <<BetimiPërDrejtësi>>.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur me 28.01.2020, thuhet se me 02.12.2019, në fshatin Reqan komuna Suharekë, zyrtart policor pas një informate të marr nga një person i cili ka qenë në arën e tij duke shkulur një fidan, kishte hasë në një kovë plastik dhe një qantë, ku kishte gjetur, një granat dore të tipit M 79, 37 fishek të kalibrit 7,9 mm dhe 169 fishek të kalibrit 7.62, të cilat ishin vendosur nga I pandehuri F.V.

Me këto veprime I pandehuri akuzohet se ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, në kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.