Me përfundimin e procesit zgjedhor (6 tetor) bashkësia ndërkombëtare ka nisur ta shtojë presionin sa i përket rifillimit të negociatave Kosovë – Serbi.
Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se ndërkombëtarët kanë nisur angazhimin e tyre në këtë drejtim ende pa u bërë qeveria e re, pasi duan ta përshpejtojnë këtë proces, në mënyrë që zgjidhja përfundimtare të arrihet diku nga mesi i vitit të ardhshëm, shkruan Gazeta ‘Zëri’.
Lideri i LVV-së Albin Kurti, i cili në zgjedhjet e 6 tetorit ishte kandidat për kryeministër nga ky subjekt, ka thënë se procesi i negociatave me Serbinë do të drejtohet nga vetë ai posa të vijë në krye të Qeverisë.
Me këtë rast Kurti ka thënë se me një qeveri të drejtuar nga LVV-ja taksa e vendosur ndaj produkteve serbe do të zëvendësohet me masën e reciprocitetit.
“Dialogu është ndërprerë. Unë jam për dialog parimor, mendoj që ky dialog duhet të jetë i përgatitur mirë dhe të mos dështojë. Jam i interesuar që taksën ta zëvendësojë me parimin e reciprocitetit”, ka deklaruar ai.
Në këtë drejtim Kurti ka thënë se ekipi negociator që do të krijohet për dialogun me Serbinë do ta përfshijë edhe opozitën. “Unë nuk do të jem arrogant me opozitën, do ta krijoj një ekip negociator bashkë me opozitën. Nuk do të lejoj që Serbia të na përçajë”, ka potencuar Kurti.
Ndërkohë, zyrtarët e LDK-së kanë thënë se në momentin që certifikohen rezultatet e zgjedhjeve përfaqësuesit e këtij subjekti do të ulen dhe do të diskutojnë me LVV-në për të gjitha temat, duke përfshirë këtu edhe çështjen e dialogut. Procesi i negociatave me Serbinë sipas tyre është i paalternativë.
“Për LDK-në dialogu është i paalternativë dhe qëllimi final është njohja reciproke e shtetit të Kosovës dhe e Republikës së Serbisë, si shtete fqinjësore me raporte të normalizuara. Ne kemi deklaruar po ashtu që e ruajmë me përkushtimin maksimal integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, sepse kështu e thotë Kushtetua e Kosovës”, ka deklaruar për “Zërin” kandidati për deputet nga LDK-ja, Driton Selmanaj.
Ndërkohë ka konsideruar se angazhimi i SHBA-së në këtë proces është shumë i rëndësishëm për Kosovën. Ndaj në momentin që certifikohen rezultatet, sipas Selmanajt, do të bëhen përpjekje që sa më shpejt të jetë e mundur të krijohet qeveria e Kosovës, në mënyrë që pastaj të realizohen detyrat e reja.
“Si LDK jemi shumë të interesuar që ky proces të jetë transparent. Duke qenë transparent e bën të mundshëm edhe përfshirjen e opozitës në këtë proces”, është shprehur Selmanaj./Zëri/