Stano: Qytetarët e Kosovës dhe Serbisë mund të mos përfitojnë nga BE-ja

07.02.2024

Bashkimi Evropian tërheqë vërejtjen se me veprimet e njëanshme rrezikohet që Kosova të ngecë prapa në procesin e integrimeve evropiane.

Stano: Qytetarët e Kosovës dhe Serbisë mund të mos përfitojnë nga BE-ja Foto: Ilustrim

Zëdhënësi i BE-së Peter Stano porositi se pala evropiane vazhdon të angazhohet në mënyrë që të lëvizet në dialog, por se palët duhet të kenë qasje konstruktive në proces.

“Ne nuk kemi frikë nga një status quo apo ndonjë ngërç. Ne nuk kemi frikë nga asgjë. Ne kemi vetëm frikë se qytetarët e Kosovës dhe Serbisë mund të lihen jashtë përfitimeve nga procesi i anëtarësimit. Fakti që po i shohim gjerat shqetësuese: vendimet e njëanshme dhe mënyrën e sjelljes apo komunikimit që e bëjnë autoritetet e Prishtinës – kjo krijon tek ne frikën se Kosova do të lihet jashtë,”, tërhoqi vërejtjen Peter Stano.

Zëdhënësi Stano konfirmoi se shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell si dhe përfaqësuesi I veçantë për dialog Miroslav Lajçak po angazhohen për të mundësuar vazhdimin e dialogut, me fokus të veçantë në zbatimin e ujdive të arritura vitin e kaluar në Bruksel përkatësisht Ohër.

Mirëpo, njëkohësisht ata të dy nuk ia dolën që të organizojnë një takim të ri në nivelin më të lartë politik, sepse Brukseli akoma nuk e ka të qartë se kur mund të ndodhë takimi i radhës i liderëve të Kosovës dhe Serbisë.