“Specialja po mbledh informata për figurat kyçe të luftës”

Gjykata Speciale deri më tani ka ftuar për intervistim rreth 20 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por ftesa të tilla nuk kanë marrë ende udhëheqësit kryesorë të UÇK-së, të cilët janë sot në krye të institucioneve shtetërore.

Megjithatë, njohësit e çështjeve të drejtësisë thonë se Specialja po mbledh informata për figurat kyçe të luftës.

Ky fillimvit është shënuar me ardhjen e disa ftesave nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar me seli në Hagë, derisa ftesë nga ky organ i drejtësisë deri më tani kanë marrë rreth 20 pjesëtarë të UÇK-së.

Ndërkohë njohësit e çështjeve të drejtësisë vlerësojnë se Gjykata Speciale si strategji po përdor marrjen në pyetje të një numri të madh të personave, me qëllim që të marrë informacione dhe të dhëna lidhur me mënyrën se si ka funksionuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përgjegjësia komanduese në çdo zonë operative të UÇK-së, si dhe informata tjera lidhur me raste që janë me interes për Zyrën e Prokurorit të Specializuar, shkruan Gazeta “Zëri”.

Prandaj sipas tyre, deri më tani janë ftuar vetëm persona të nivelin më të ulët, përderisa nuk përjashtohet mundësia që ftesë nga Gjykata Speciale të marrin edhe personat, të cilët ishin në krye të UÇK-së e që sot janë në krye të institucioneve të Kosovës.

RAPORTO