Specializantët kundër vendimit të Qeverisë – paralajmërojnë protesta dhe ikje jashtë vendit

14.01.2022

Arianit Zajmi, kryetar i Këshillit të Specializantëve për Ekonomia Online tha se nëse deri më 21 janar nuk u realizohen kërkesat e premtuara nga ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi do të dalin në protesta. Krejt kjo ngase sipas tij, ata po kërkojnë pagesa të dinjtetshme e jo subvencione për të cilat nuk janë të sigurt […]

Specializantët kundër vendimit të Qeverisë – paralajmërojnë protesta dhe ikje jashtë vendit Foto: Ilustrim

Arianit Zajmi, kryetar i Këshillit të Specializantëve për Ekonomia Online tha se nëse deri më 21 janar nuk u realizohen kërkesat e premtuara nga ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi do të dalin në protesta.

Krejt kjo ngase sipas tij, ata po kërkojnë pagesa të dinjtetshme e jo subvencione për të cilat nuk janë të sigurt se do t’i marrin.

“Është shumë e vërtetë që dje është marr vendimi për subvencione për kategorinë e specializantëve dhe ky vendim nuk na ka pëlqyer neve aspak për shakë se bie ndesh me kërkesat tona dhe bie ndesh me të drejtat tona elementarë e që janë që ne të paguhemi dinjitetshëm të marrim pagat në fillim të muajit e jo të presim kur po na dalin apo s’po na dalin fare”.

“Do presim deri me datën 21 dhe nëse nuk ja diçka konkrete atëherë do të rikthehemi protestave dhe rrugëve. Ne para së gjithash jemi  njerëz, profesionist shëndetësorë, jemi mjek që kontribuojnë për shëndetin e kësaj popullate dhe mund të them se nuk e meritojmë me u trajtuar me subvencione që praktikisht janë skema sociale”.

Ai thotë se janë të pasinqerta pohimet se po punohet që mjekët të mos ikin nga Kosova, ngase siç thotë ai vendime të tilla veç se po i nënçmojnë dhe nuk po iu japin zgjidhje tjetër, pos ikjes.

“Është interesant se me njërën anë po flitet për me ndalur ikjen dhe në anën tjetër po merren vendime të cilat neve na nënçmojnë dhe në një far forme nuk na japin zgjidhje tjetër veç se të largohemi dhe të kalojmë për shkollim dhe specializim jashtë vendit”.

Ai ka treguar dy kërkesat që i kanë parashtruar ministrit Latifi, që të fitojnë statusin e specializantit të rregullt dhe që të paguhen kujdestaritë.

“Kërkesat e specializantëve janë që me subvencione të fitojnë statusin e specializantit të rregullt, të marrin paga në mënyrë të rregullt siç i marrin të gjithë punëtorët në Kosovë”.