Çlirim Gashi
01.04.2019, 8:44

Sot SBASHK mbledh kryesinë dhe vendos nëse do të ketë greva

Nxënsit e shkollave fillore e të mesme, ende nuk e kanë të qartë nëse këtë javë do e nisin pushimin pranveror, apo do të vijojnë procesin mësimor, për t’i zëvëndësuar orët e humbura gjatë grevës tre javëshe të janarit.

Sipas kësaj Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), sot do të mbajë një takim me kryesinë dhe do të diskutohet se a ka presione ndaj anëtarësisë për mbajtjen e orëve.

Kujtojmë se kjo Sindikatë para disa ditësh paralajmëroi se nëse bëhet presion për zëvendësim të orëve atëherë do të ri aktivizohet greva.

SBASHK-u nuk po heqë dorë nga vendimi që ata morën për mos zëvendësimin e orëve, derisa të dielën u ka bërë thirrje mësimdhënësve dhe nxënësve që të shkojnë në pushim pranveror, Ministria ka kërkuar që të respektohet vendimi i ministrit Shyqiri Bytyqi për kompensim të orëve.

Ndërsa, në takimin e sotëm, varësisht nga informatat që marrin, do të marrin veprime sindikale duke mos përjashtuar edhe shpalljen e grevës në komunat ku ka presione.

Në komunikatën e SBASHK-ut ndër të tjerash thuhet se: “E nëse presione do të ketë në shumicën e komunave do të shkohet në grevë të përgjithshme në nivel vendi”.

Kujtojmë se më 26 shkurt, ministri mori vendim që nga 15 ditët e humbura gjatë grevës, 5 të zëvendësohen të shtunave, 5 të merren nga pushimi pranveror dhe për 5 ditë të zgjatet procesi mësimor në fund të vitit shkollor.