Sot mbahet seanca dëgjimore e Gjykatës Kushtetuese për fatin e Qeverisë Hoti

02.12.2020

Sot në Gjykatën Kushtetuese do të mbahet seancë dëgjimore lidhur me kushtetutshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi, për të cilën kishte kërkuar interpretim partia e Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje.  “Seanca dëgjimore publike në këtë rast do të mbahet të mërkurën, më 2 dhjetor 2020. Për shkak të situatës aktuale me pandeminë COVID-19, seanca dëgjimore […]

Sot mbahet seanca dëgjimore e Gjykatës Kushtetuese për fatin e Qeverisë Hoti Foto: Ilustrim

Sot në Gjykatën Kushtetuese do të mbahet seancë dëgjimore lidhur me kushtetutshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi, për të cilën kishte kërkuar interpretim partia e Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje. 

“Seanca dëgjimore publike në këtë rast do të mbahet të mërkurën, më 2 dhjetor 2020. Për shkak të situatës aktuale me pandeminë COVID-19, seanca dëgjimore publike do të mbahet nëpërmjet video-konferencës (online)”, ka thënë drejtori i zyrës për komunikim dhe informim të Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula për Telegrafin.

Në seancën dëgjimore publike e cila do të mbahet më 2 dhjetor 2020, me fillim në ora 10:00, do të marrin pjesë të gjitha palët e interesit të përfshira në rast. Për shkak të situatës aktuale me pandeminë Covid-19, seanca dëgjimore publike do të mbahet nëpërmjet video-konferencës (online) dhe tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për mbajtjen e saj.

Një epilog të mundshëm nëse Gjykata Kushtetuese e shpall të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi e ka komentar edhe ish-kreu i saj, Enver Hasani, i cili në T7 tha se në atë rast kthehemi te Kurti.

“Kurti kthehet në pozitën ku ishte në fillim. Do të thotë zgjedh se a do t’i dërgojë letrat famoze përsëri u.d. presidentit. Unë isha kundër këtij vendimi, ju e dini. Ishte i padrejtë vendimi i Kushtetueses pasi merrej me sjelljet e Albinit me letra. Por kjo nuk është drejtësia. Ajo duhet të merrej me faktet. Tani është në dorë të u.d. të presidentit. Ajo mund të zgjedhë. Mund të zgjasë edhe deri në pafundësi. Vendimi ka qenë shumë i pabazë”, shtoi ai.

Ndryshe, Etem Arifi ishte njëri prej 61 deputetëve që votoi pro zgjedhjes së Qeverisë Hoti.

Arifi është i dënuar me një vjet e tre muaj burgim për veprën penale “mashtrim me subvencione”.

Ndërsa, për LVV-në, vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjve është jo-valide për faktin se ai është dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës.

Votimi i deputetit Arifi nxiti debate të shumta për ligjshmërinë e votës së tij dhe për këtë arsye LVV-ja ishte drejtuar për interpretim në Kushtetuese.