Çlirim Gashi
09.04.2019, 9:34

Sot 11 vjetori i Kushtetutës së Republikës së Kosovës

Njëmbëdhjetë vjet më parë, përmes aktit më të lartë juridik-politik, u vulos Kosova si shtet i pavarur e sovran, një demokraci sovrane e shumë-etnike, e re në moshë, liberale në ide dhe Perëndimore në frymën e saj.

Dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, është ratifikuar Kushtetuta e Kosovës në Kuvend, e cila hyri në fuqi më 15 qershor të vitit 2008.

Kushtetuta e Kosovës është mburojë e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe kulm i një shtëpie të përbashkët, të shqiptarëve dhe komuniteteve joshumicë, mbi parimet e lirisë, demokracisë dhe drejtësisë.

Pjesa më e madhe e kësaj Kushtetute rrjedh nga plani i ish-presidentit finlandez Martti Ahtisaari, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.

9 prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë dhe është ditë pushimi.