Marrëveshja Sonte s’ka takim Kurti – Mustafa, ditët në vazhdim mund të jenë intensive për arritjen e koalicionit

Kanë mbetur edhe tri ditë para se të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të bëjnë përpjekjen e orëve të fundit për arritjen e marrëveshjes për koalicion.

Deri tash asnjëra palë nuk ka dhënë shenja se do të zmbrapset nga qëndrimet e betonuara rreth postit të presidentit, për të cilin LDK-ja insiston ta propozojë kandidatin dhe VV-ja t’ia zotojë 29 votat e deputetëve.

Sipas Vetëvendosjes që tri javë LDK-ja nuk ka bërë asnjë lëvizje prej pozicionit fillestar, teksa kanë përmendur edhe qëndrimin e deputetëve gjermanë, të cilët thanë se prioritet është formimi i Qeverisë.

Prandaj edhe sot nuk do të ketë takim ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kështu ka konfirmuar për “Gazeta Blic” zëdhënësi për media i Lëvizjes Vetëvendosje Arlind Manxhuka.

“Sot nuk do të ketë takim mes partive” ka thënë shkurt Manxhuka.

Mospajtimet nuk u tejkaluan as pas takimit të fundit ndërmjet Albin Kurtit e Isa Mustafës, i cili u mbajt një ditë pas kërkesës në kor të diplomatëve ndërkombëtarë që të nënshkruhet marrëveshja për koalicion.

Edhe pse LVV-ja prej fillimit ka insistuar që marrëveshja të arrihet vetëm për Qeverinë dhe Kuvendin, në takimin e fundit pika që i referohet presidentit është propozuar të ketë formulim “neutral”.

Ky qëndrim do të nënkuptonte përkushtimin e të dyja palëve në gjetjen e një personalitetit konsensual si kandidat për president.

Kujtojmë se në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbajtura më 6 tetor, fituese e këtyre zgjedhjeve doli Lëvizja Vetëvendosje duke lënë pas Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.