Slloveni, sa do të paguajnë konsumatorët për energjinë elektrike këtë dimër? Publikohen llogaritjet e reja
Agjencia e Energjisë në Slloveni ka publikuar llogaritjet e reja për tarifat e rrjetit që familjet do të paguajnë këtë dimër.
Pas rritjes së ndjeshme të vitit të kaluar, ndryshimet këtë vit janë më të buta, megjithatë pritet që tarifat të rriten gradualisht deri në vitin 2028, transmeton Urgjent.
Vendimi nënkupton se në disa raste familjet do të kenë kursime të vogla, por jo domosdoshmërisht fatura më të ulëta totale – pasi çmimet e energjisë elektrike këtë vit janë më të larta.
Për një familje mesatare me katër anëtarë, që konsumon rreth 4,000 kWh energji elektrike në vit, tarifa e rrjetit në nëntor dhe dhjetor do të jetë rreth 18 euro. Pa masën lehtësuese, kjo shumë do të ishte rreth 7 euro më e lartë. Në total vjetor, tarifa e rrjetit do të jetë rreth 171 euro, krahasuar me 220 euro vitin e kaluar. Kjo përkthehet në rreth 14 euro kursim gjatë vitit.
Për një çift pa fëmijë, i cili konsumon më pak energji, tarifa mujore do të jetë rreth 15 euro, ndërsa ajo vjetore 132 euro. Kursimi vjetor në këtë rast është rreth 12 euro.
Megjithatë, debati publik është fokusuar edhe te familjet që kanë investuar në energji të pastër, si pompat e nxehtësisë dhe panelet diellore. Kritikët kanë pretenduar se këto familje po dëmtohen nga metodologjia e re.
Sipas Agjencisë së Energjisë:
Një familje me pompë nxehtësie do të paguajë rreth 322 euro tarifë rrjeti në vit, që është rreth 100 euro më pak se vitin e kaluar.
Një familje me pompë nxehtësie dhe panele diellore në sistem matjeje neto vitin e kaluar paguante rreth 95 euro. Këtë vit tarifa pa masë do të shkonte në 178 euro, ndërsa me masën e qeverisë do të jetë 155 euro.
Megjithatë, edhe pse disa kategori do të shohin ulje të tarifave të rrjetit, faturat e energjisë elektrike në përgjithësi nuk pritet të ulen, sepse çmimet e energjisë janë rritur krahasuar me vitin e kaluar.
Në përmbledhje – familjet do të kenë disa lehtësime në tarifat fikse të rrjetit, por kostoja finale që do të shfaqet në faturë varet kryesisht nga çmimi për kWh, i cili këtë vit është më i shtrenjtë.
Situata do të vazhdojë të ndryshojë gradualisht deri në vitin 2028, kur tarifat e reja të rrjetit pritet të stabilizohen plotësisht.