Skandali i diplomave të rrejshme në Kosovë

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, (ORCA) është jashtëzakonisht e shqetësuar për situatën e krijuar së fundmi ku del se mijëra diploma të mijëra studentëve të lëshuara nga institucione të ndryshme të arsimit të lartë nuk janë në përputhje me ligjet në fuqi.

Përmes një reagimi për media, ORCA sheh kryerje të veprave penale nga ana e institucioneve të arsimit të lartë të cilat me shumë gjasë i kanë mashtruar studentët duke marrë para nga ta, ndërkohë që nuk i kanë dorëzuar regjistrat e të dhënave të studentëve tyre në MAShT siç parashihet me legjislacionin në fuqi. Kësisoj, mijëra diploma të lëshuara nga këto institucione nuk kanë bazë për t’u njohur në Kosovë apo jashtë saj.

“Mosdorëzimi i regjistrave në afatet e parapara ligjore mund të duket si një formalitet i parëndësishëm, por në fakt është pjesa që konfirmon vërtetësinë e kohëzgjatjes së studimeve, programeve të ndjekura dhe çështjeve të tjera me rëndësi për dëshmimin e ndjekjes së studimeve”, thuhet në reagimin e ORCA.

Në këtë situatë ORCA i bën thirrje organeve të hetuesisë që të veprojnë me shpejtësi në identifikimin e shkelësve dhe vendosjen e tyre para drejtësisë.

RAPORTO