S’ka takime Vetëvendosje –LDK për harmonizim të programeve

17.10.2019

Grupet punuese që do t’i hapin rrugë krijimit të koalicionit LDK – Vetëvendosje nuk do të shihen as sot për harmonizim të programeve. Kështu i ka thënë Expressit Lëvizja Vetëvendosje. Derisa rezultati i zgjedhjeve ende nuk është certifikuar, e grupet punuese ende s’e kanë pasur takimin e parë, Vjosa Osmani, kandidatja e LDK-së, është duke […]

S’ka takime Vetëvendosje –LDK për harmonizim të programeve Foto: Ilustrim

Grupet punuese që do t’i hapin rrugë krijimit të koalicionit LDK – Vetëvendosje nuk do të shihen as sot për harmonizim të programeve. Kështu i ka thënë Expressit Lëvizja Vetëvendosje.

Derisa rezultati i zgjedhjeve ende nuk është certifikuar, e grupet punuese ende s’e kanë pasur takimin e parë, Vjosa Osmani, kandidatja e LDK-së, është duke qëndruar në SHBA. Lideri i VV-së, Albin Kurti, në anën tjetër është në Britaninë e Madhe.

Sot është bërë një javë nga takimi i parë i kreut të VV-së, Albin Kurti, me kandidaten e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, e të partin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Pak ditë pas zgjedhjeve, që e radhitën si parti të parë Lëvizjen Vetëvendosje, me një diferencë të ngushtë me LDK-në, këto dy parti u panë për herë të parë për të diskutuar për një koalicion pas zgjedhor, pasi që ai parazgjedhjeve iu dështoi.

Albin Kurti e Vjosa Osmani para mediave thanë se do t’i caktojnë nga tre persona që të bëjnë harmonizimin e programeve, e madje edhe patën disa zotime si ai për numrin e ministrive.

Ani pse janë caktuar tashmë grupet 3+3 që do të përfaqësojnë secilën nga partitë për të harmonizuar programet, takime në mes të tyre nuk kanë ndodhur ende.

Një i tillë nuk do të ndodhë as sot. Kështu kanë konfirmuar nga grupi punues i Vetëvendosjes në një prononcim për Gazetën Express.

Vjosa Osmani tashmë ka bërë publike se është duke qëndruar në Amerikë, nga ku ka publikuar detaje nga takimet që është duke zhvilluar atje.

Njejtë si Osmani, as lideri i VV-së, momentalisht nuk ndodhet në Kosovë. Kurti ka njoftuar se është duke qëndruar në Britaninë e Madhe, teksa, ka njoftuar edhe për takimet që është duke mbajtur atje.

Derisa nuk dihet arsyeja se pse nuk janë duke u zhvilluar takimet në mes të grupeve punuese, LDK javën e kaluar në mbledhjen që kishte mbajtur me kryesinë, kishte dalë me dy deklarata të ndryshme. Në atë që tha zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa pas mbledhjes, shtoi se kishin marrë vendim që takimet në mes të grupeve punuese të ngriheshin, derisa të certifikohej rezultati i zgjedhjeve që tregonte kush është parti e parë.

Kjo deklaratë e tij u demantua pak orë më vonë nga lideri i partisë, Isa Mustafa.

Megjithatë ende nuk është publike se pse nuk po vazhdojnë takime e paralajmëruara. Si duket dy partitë janë duke pritur që të numërohen të gjitha votat për të parë rezultatin  e saktë.

Sot nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka shkruar në Facebook se nga zgjedhjet nuk ka fituar një grup politik, por opozita.

“Nëse e bëjmë një përkufizim, i bie që qytetarët e Kosovës kanë votuar për ndryshim dhe ia kanë besu LDK’së dhe LVV’së këtë rezultat.

Fitues të vegjël janë LDK dhe LVV. Ne po e presim rezultatin final të zgjedhjeve sepse votat nuk janë numëruar deri në fund.

Cilado parti që del fituese, duhet të sillen përgjegjshëm dhe kokëulur karshi këtij rezultati sepse njerëzit kanë votuar për ndryshim. Nuk kanë votuar as për individin e as për partinë politike”, ka thënë ai.

Kurti dhe Osmani tashmë gjatë bisedave për një bashkëqeverisje kanë nënshkruar dokument të përbashkët mbi transparencën qeverisëse që përmbante 7 pika.

“Qeveria do të kufizohet në 15 ministri maksimum në dy zëvendëskryeministra për ministri, Gratë do të udhëheqin së paku 30 për qind të ministrive, Do të ketë transmetim të drejtpërdrejt të të gjitha mbledhjeve të Qeverisë, Kryeministria do të publikojë Raportin Vjetor për Realizmin e Programit Qeverisës, Kryeministria dhe ministritë do të publikojnë të gjitha kontratat dhe ankesë kontratat në ueb faqet zyrtare, Do të ketë depolitizim në përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve dhe ndërmarrjeve publike, Do të ketë raportime dhe standardizimeve në raportim të shpenzimeve të Kryeministrisë dhe gjitha ministrive në baza mujore (përfshirë faturat, urdhër blerjet dhe pagesat”, thuhet në zotimet e Osmanit e Kurtit.

Nga votat që janë numëruar deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon që të radhitet si parti e parë, e pasur nga Lidhja Demokratike e Kosovës./GazetaExpress/