Sipas IPK-së një Avokat dyshohet për keqpërdorim seksual

Inspektorati Policor i Kosovës përmes një komunikate për media ka hedhur poshtë pohimet e një pjese të mediave për arrestimin e avokatit që mbrojti profesorin në rastin e abuzimit seksual të një miture në Drenas, duke thënë se Gazmend Halilaj ka qenë i ftuar për intervistim nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, në cilësinë e të dyshuarit.

Intervistimi i avokatit Halilaj është vazhdimësi e veprimeve hetimore duke iu referuar rastit që IPK është duke e hetuar në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore të Prishtinës e ku deri tani janë arrestuar tre të dyshuar, thuhet në sqarim.

IPK bën me dije se avokati Halilaj është intervistuar si i dyshuar për veprat penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin sipas Kodit Penal të Kosovës, transmeton gazeta “Metro”.

Sipas autorizimit të prokurorit, hetimi ndaj avokatit Halilaj do të vazhdojë në procedurë të rregullt.

Kujtojmë se, vetë Halilaj ka qenë ai i cili rreth dy javë më parë kishte sinjalizuar abuzimin seksual të nxënëses nga Drenasi. 16 vjeçarja nga Drenasi fillimisht u abuzua seksualisht nga mësuesi i saj saj Shkelzen Xhekaj e pastaj nga zyrtari policor, Vesel Veseli i cili më pas shtyu të miturën të abortojë në ordinancën e Fehmi Ahmetit në Prishtinë.

RAPORTO