Aktuale

Sindikatat: Votojeni buxhetin e vitit 2020, ose do të ketë trazira sociale

Foto: Ilustrim

Ministria e Financave ka paralajmëruar se në rast të mos miratimit të ligjit të ri për buxhetin nga qeveria e re dhe kuvendi, të gjitha pagesat duke përfshirë pagat që nga organet e sigurisë e deri te shërbimi civil, pensionet dhe asistencat tjera sociale, shërbimet publike si dhe të gjitha obligimet tjera buxhetore do të ndërpriten nga 28 shkurt, përkatësisht 31 mars nëse ka vendim nga Kuvendi dhe nga Thesari i Kosovës do të lejohen vetëm pagesat për borxhin publik mund të realizohen sipas afatit të pagesës.

Në një komunikatë për media, MF sqaron se më datën 31 tetor 2019 e ka dorëzuar në Qeveri propozim- buxhetin për vitin 2020, por kjo e fundit nuk ka mundur të aprovojë projektligjin e buxhetit dhe ta dërgojë në Kuvend, pasi ky i fundit nuk ishte konstituuar.

Për më tepër, MF sqaron se propozim-buxheti mund të trajtohet dhe procedohet nga Qeveria e re te Kuvendi i konstituuar, si organe të nxjerra nga zgjedhjet e fundit parlamentare.

Ndërsa Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Kulturës, Sindikata e Shëndetësisë dhe Sindikata e Policisë po kërkojnë takim urgjent me Kryeministrin në detyrë Ramush Haradinaj dhe Kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Te tri sindikatat nga Kryeministri në detyrë kërkojnë që ta dërgojë në Parlamentin e Kosovës Projektligjin për buxhet për vitin 2020 me qëllim të shmangies se trazirave sociale.

Ndërsa nga Kryeparlamentari kërkojnë qe të ndërmarr hapa ligjor parlamentarë për aprovimin e buxhetit me kohe.