Sindikata e Policisë ende s’ka marrë përgjigje nga Qeveria për shtesat prej 100 euro

05.01.2021

Javë më parë është raportuar se zyrtarët policorë aktivë do të marrin 300 euro shtesë, nga 100 euro për tre muajt e kaluar, për angazhimin e shtuar në terren gjatë pandemisë. Mirëpo, nënkryetari i kësaj sindikate, Shaban Tasholli, ka thënë se 100 eurot shtesë për muaj nuk i marrin të gjithë pjesëtarët e policisë, por […]

Sindikata e Policisë ende s’ka marrë përgjigje nga Qeveria për shtesat prej 100 euro Foto: Ilustrim

Javë më parë është raportuar se zyrtarët policorë aktivë do të marrin 300 euro shtesë, nga 100 euro për tre muajt e kaluar, për angazhimin e shtuar në terren gjatë pandemisë. Mirëpo, nënkryetari i kësaj sindikate, Shaban Tasholli, ka thënë se 100 eurot shtesë për muaj nuk i marrin të gjithë pjesëtarët e policisë, por vetëm ata që janë në terren.

Prandaj, ata kishin kërkuar nga kryeministri Avdullah Hoti dhe Ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu që të përfshihen të gjithë policët.

“Ne i kemi bërë kërkesë kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Brendshme edhe më herët që kjo pako të jetë pa ndarje. Ne kemi ndarje, sepse nuk i marrin të gjithë punonjësit e Policisë së Kosovës nga 100 euro shtesë në muaj. I marrin vetëm ata policë që janë në terren, por edhe këtë e mirëpresim që është bërë një plotësim”.

Megjithatë, Tasholli për EkonomiaOnline theksoi se ende nuk kanë marrë përgjigje nga Qeveria se a do të realizohen këto kërkesa.

“Ne paraprakisht në takimin me kryeministrin kemi kërkuar si sindikatë që të përfshihen të gjithë. Mirëpo nga ministria dhe menaxhmeti është marrë një vendim që vetëm ata që janë në planin operativ të paguhen, ku në atë kohë nuk është paguar as shëndetësia dhe ne jemi pajtuar me këtë. Por tani kur shëndetësia paguhet në tri shkallë çdo punonjës i shëndetësisë kemi kërkuar që edhe policia e Kosovës të përfshihet në pakon 100 euro”.

“Nuk janë përfshirë të gjithë. Ka arsye të ndryshme se nuk kanë qenë në plan operativ apo disa që kanë qenë në pushime. Përgjigje ende nuk kemi se a do të mund të realizohen. Një shkresë e kryeministrit ka qenë që do të rishikohet, por se çfarë do të ndodhë nuk e dimë”.

Tasholli tha se presin që nga ky vit të fillojë pagesa për shujtat. Mes tjerash, ai theksoi se deri më tani janë 400 policë të infektuar me Covid-19.