Siguria në punë, Avokati i Popullit ngre alarmin dhe kërkon veprim

22.07.2025

Dy punëtorë kanë humbur jetën dje pasi kanë rënë nga kati i tretë i një objekti në ndërtim në Gjakovë. Përmes një reagimi, Avokati i Popullit e ka cilësuar rastin si tregues alarmant për sigurinë dhe shëndetin në punë.

“Me dhimbje pranoi lajmin dhe shpreh shqetësim të thellë për humbjen e jetës së dy punëtorëve në vendin e tyre të punës si pasojë e aksidenteve të ndodhura ditët e fundit,” thuhet në reagim.

Kjo ngjarje është cilësuar si tregues të një “gjendjeje alarmante që mbizotëron në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë” dhe pasojë e “mungesës së zbatimit efektiv të standardeve ligjore të përcaktuara për mbrojtjen e jetës dhe dinjitetit të njeriut.”

Avokati i Popullit rikujton se kjo situatë e rëndë është trajtuar edhe në raportin Ex officio Nr. 252/20211, të publikuar në shkurt 2024, ku theksohet se “prej vitit 2004 deri më 2021, janë evidentuar 232 vdekje të punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës ose si pasojë e kushteve të punës.” Megjithë rekomandimet e dhëna, “autoritetet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë veprime të mjaftueshme për përmirësimin e gjendjes.”

Duke bashkëndjerë me familjet e viktimave, Avokati i Popullit i bën thirrje autoriteteve për “veprim të menjëhershëm dhe të koordinuar në zbatim të detyrimeve lidhur me sigurinë dhe shëndetin në punë.”

Ai thekson se “është e domosdoshme që Inspektorati i Punës të përmbush detyrimet ligjore, që përmes kontrollit në terren, veçanërisht në sektorët me rrezik të lartë, të ndikoj në parandalim të aksidenteve në punë dhe mbrojtje e siguri.”

Ndër të tjera, autoritetet janë të thirrura të garantojnë “një hetim të gjithanshëm, profesional dhe transparent për secilin rast të aksidentit në punë” dhe “të vendos përgjegjësi institucionale në ushtrim të kontrollit efektiv në zbatim të masave ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë.”