Si ndikoi COVID-19 në cilësinë e ajrit në Kosovë?

Pandemia ka ndikuar në rritjen e cilësisë së ajrit në Kosovë. Kjo për shkak se gjatë dy muajve të fundit ka pasur më pak qarkullim të veturave nëpër vend

Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, Ilir Morina, në një lidhje direkte për Gazetën Express ka thënë se gjatë muajve mars të këtij viti cilësia e ajrit është më e mirë se në periudhën e njëjtë kohore në vitin 2019.

“Cilësia e ajrit nuk mbahet mend kur ka qenë më e mirë se tani. Ne kemi matje permanente që nga viti 2008, nga 2012 kemi instalu një sistem të rrjetit. Nga muajt mars dhe prill edhe pse në vitet tjera bie ndotja për shkak të ngrohjes së temperaturave dhe ndërprerjeve të ngrohtoreve, prapë se prapë edhe ajo ndotje që ka qenë në 2019 në mars, sivjet është përgjysmuar në shumë elemente, sidomos në ato të gazrave që janë shumë të rrezikshme për shëndetin”, ka deklaruar Morina.

Morina tha se djegia e karburanteve të automjeteve është një ndër faktorët kryesorë që ndikon në uljen e cilësisë së ajrit.

“Fakti që gjatë marsit dhe prillit është përgjysmuar ndotja nga enoiksi, pra gazrat e dioksideve të azotit dhe disa gazra tjera, janë dukuri që paraqiten nga djegia e karburanteve. Kjo na tregon se rreth 50 për qind të ndotjeve në Prishtinë, Gjilan Drenas e sidomos në Han të Elezit 60 për qind ka rënien e ndotjes nga ky gaz sepse është ndaluar qarkullimi ndërkufitar”, ka thënë Morina.

“Cilësia e ajrit në Obiliq është njëjtë si në Prishtinë, gjendja nuk është e keqe. Disa parametra nuk kanë shumë rënie, për shembull grimcat e pluhurit që Obiliqi vuan prej tyre për shkak të termocentraleve, ka rënie shumë të lehta, nuk janë sikur rastet e dioksidit të azotit dhe sulfurit. Por ka pasur raste të rritjes së ozonit që është i rrezikshëm për shëndetin”, deklaroi Morina për Express.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.