Shtatë të prekur me COVID-19 po trajtohen në Infektivë, njëri në gjendje më të rëndë

Shtatë pacientë të prekur me COVID-19 janë duke u trajtuar aktualisht në Klinikën Infektive, që funksionon në kuadër të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Për gjendjen e të infektuarve ka dhënë detaje infektologu Valbon Krasniqi.

Në një prononcim për Gazetën Express, Krasniqi ka thënë se një paciente e cila ka edhe probleme të tjera shëndetësore është në gjendje më të rëndë, dhe se një paciente tjetër e cila dje ka dalë pozitive ka nevojë për oksigjeno-terapi.

Gjendja e pesë të tjerëve thotë se është e mirë.

“Në klinikë me COVID-19 janë shtatë pacientë. Gjendja e tyre shëndetësore e përgjithshme është e mirë, në përjashtim të një pacienteje e cila vazhdon të jetë në gjendje më të rënduar, e cila ka edhe probleme të tjera shëndetësore. Ajo është duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe po ashtu është në hemodializë të rregullt. Edhe një paciente që dje është konfirmuar pozitiv, herë pas here ka nevojë për oksigjen”, tha Krasniqi për Express.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.