Shkon në 18 numri i të shëruarve në Malishevë, 51 të tjerë përballen ende me Covid-19

Në komunën e Malishevës, numri i të shëruarve me koronavirus ka shkuar në 18.

Deri tash, Malisheva kishte të shëruar 17 persona. Por, me publikimin e rezultateve të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), edhe një person është konfirmuar se është shëruar nga koronavirusi.

Gjithashut edhe një rast tjetër është konfirmuar me koronavirus në Malishevë, e që numrin e të infektuarve e çon në 70.

“Bazuar në shënimet zyrtare nga institucionet përgjegjëse shëndetësore në vend, numri i të shëruarve në Komunën e Malishevës, të cilët kanë qenë të prekur me virusin COVID-19, ka arritur në 18 persona, pasi sonte është konfirmuar edhe një person i shëruar.

Po ashtu në orët e vona të mbrëmjes së djeshme është shënuar edhe një rast i prekur me COVID-19, dhe numri i të prekurve në Komunën e Malishevës, arrin në 70 persona.

Bilanci i deritanishëm me COVID – 19 në Komunën e Malishevës, është si vijon: 70 të prekur, 1 i vdekur dhe 18 të shëruar”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Komuna e Malishevës.

IKSHPK ka bërë të ditur se sot janë konfirmuar  pozitiv edhe 36 persona me virusin Covid-19 në Kosovë.  Po ashtu, pesë persona janë shëruar pasi kanë dalë negativ në testin e dytë.

Rastet e reja janë të gjitha raste kontakti. Nëntë janë nga komuna e Ferizajt, tetë nga komuna e Kamenicës. Pesë nga Prizreni, tre nga Gjakova, dy nga kryeqyteti, dy nga Mitrovica e Veriut dhe nga një rast në  Suharekë, Lipjan, Ramjan-Viti, Banjë-Malishevë, Studenicë-Istog, Lëbushë-Deçan dhe Zveçan.

Numri i përgjithshëm i të shëruarve është 71.

Në komunën e Deçanit ky është rasti i parë i konfirmuar.

IKSHPK bën thirrje që të respektohen rekomandimet në mënyrë që të  luftohet virusi.

RAPORTO