Kryetarja e RDK-së, Arbnora Salihu, tha se aksioni synon të rikujtojë se asnjë parti politike apo deputet nuk është mbi Kushtetutën dhe ligjin.

“Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, që po e shkelin Kushtetutën e po i bllokojnë institucionet, ua kujtojmë që asnjë parti, asnjë deputet dhe asnjë shumicë nuk është mbi Kushtetutën”, deklaroi Salihu.

RDK ka kërkuar nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt me shumicën parlamentare, që të thërrasin seancën dhe të mundësojnë konstituimin e Kuvendit.

Salihu tha se Kushtetuta parasheh afat prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve, ndërsa sipas saj, Rregullorja e Kuvendit përcakton se ndërprerja e seancës konstituive nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë.

RDK ka theksuar se të rinjtë nuk duhet të pranojnë, siç u shpreh Salihu, që shkeljet kushtetuese të bëhen praktikë dhe të paraqiten si normalitet.