SHBA kërkon ekstradimin e një shtetasi të Kosovës për mashtrim dhe shitje të dhënash personale online
SHBA ka kërkuar ekstradimin e Liridon Masuricës, një 33-vjeçar nga Gjilani, i cili u arrestua në Kosovë nën dyshimin se ka drejtuar një treg të paligjshëm në internet që shiste të dhënat personale, fjalëkalimet dhe informacionet bankare të qytetarëve amerikanë.
Masurica përballet me akuza të rënda që mund të rezultojnë në një dënim maksimal prej 55 vjetësh burgim federal nëse shpallet fajtor. Zyra e Prokurorit të SHBA-së në Tampa, Florida, ka bërë të ditur se një juri e madhe e ka akuzuar Masuricën për disa vepra penale.
Sipas aktakuzës, Masurica ishte administratori kryesor i faqes së internetit BlackDB.cc, një treg kriminal që operonte që nga viti 2018. Kjo platformë shiste kredenciale llogarish, informacion të kartave të kreditit dhe të dhëna të tjera personale, kryesisht të qytetarëve amerikanë.
Artikujt e shitur në këtë platformë janë përdorur nga kriminelët për të kryer krime të ndryshme, si mashtrimi tatimor, mashtrimi me karta krediti dhe vjedhja e identitetit.
Prokuroria e SHBA-së thekson se këto aktivitete prekën qytetarët amerikanë, përfshirë banorë të Distriktit të Mesëm të Floridës.
Hetimet ndaj Masuricës u udhëhoqën nga FBI dhe Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme (IRS) të SHBA-së, me ndihmën e departamentit të krimeve kibernetike të Policisë së Kosovës. Për këtë rast, FBI kishte bashkëpunim edhe me zyrën e saj në Sofje, Bullgari, dhe autoritetet malajziane.
Autoritetet e Kosovës kryen bastisje në Prishtinë dhe Gjilan, që çuan në arrestimin e Masuricës dhe dy të dyshuarve të tjerë. Gjatë operacionit, u identifikua gjithashtu një tjetër platformë kriminale, RYDOX, e cila gjithashtu shiste të dhëna personale dhe shërbime të paligjshme.
Sipas Policisë së Kosovës, serveri që përdorej nga BlackDB.cc ishte i vendosur në Malajzi. Në bashkëpunim me autoritetet malajziane, serveri është mbyllur, duke ndaluar funksionimin e mëtejshëm të këtij tregu kriminal.