SHBA-ja përsërit thirrjet për Kosovën dhe Serbinë: Shtensionojeni situatën

20.03.2024

Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar pas takimit trepalësh në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, si dhe të Dërguarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

SHBA-ja përsërit thirrjet për Kosovën dhe Serbinë: Shtensionojeni situatën Foto: Ilustrim

Në një konferencë për media, zëdhënësi i DASH-it, Vedant Patel, tha se SHBA-ja mirëpret diskutimet që janë mbajtur në Bruksel për çështjen e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, teksa ka bërë thirrje që diskutimet të vazhdojnë me urgjencë.

Këto janë bisedime që i mirëpresim, që po mbahen sot në Bruksel brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, përfshirë diskutime për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës. Besojmë se këto diskutime duhet të vazhdojnë me urgjencë. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është kanali adekuat për të zgjidhur këto çështje të ndërlidhura me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha të martën Patel.

Sipas tij, SHBA-ja ka qenë e qartë duke shprehur shqetësimet e saja për rregulloren e re të BQK-së.

Po ashtu Patel ka thënë se kanë përsëritur thirrjet vazhdimisht për Kosovën e Serbinë që të shtensionojnë situatën.

Kujtojmë se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit ka thënë se Kosova dhe Serbia deri të premten duhet të dërgojnë propozime për çështjen e dinarit, ndërsa takimi i radhës do të mbahet të hënën.

E kryenegociatori i Sebrisë, Petar Petkoviq, ka thënë se pala serbe të martën ka insistuar në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.